Me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit, partitë politike kanë nisur numërimin mbrapsht për dorëzimin e deklarimeve financiare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Afati ligjor është 60 ditë nga shpallja e rezultatit, pra deri në fund të tetorit, dhe mosdeklarimi i saktë rrezikon gjoba për kandidatët dhe partitë.
Vëmendja më e madhe është te dy forcat kryesore, PS dhe PD. Në kampin demokrat, ende mbetet mister fatura e lobistit amerikan Chris LaCivita. Sali Berisha ka premtuar se do ta bëjë publike “ditën që ligji e detyron”, duke lënë të hapur pikëpyetjen mbi shumën e paguar.
Nga ana tjetër, kandidatët e listave kanë dorëzuar tashmë një pjesë të shpenzimeve të tyre. Në qarkun e Elbasanit, ish-komisioneri i Vettingut, Olsi Komiçi – tashmë deputet socialist – ka deklaruar mbi 25 mijë euro të investuara në fushatë, ndërsa Sara Mila, kandidatja më e votuar e qarkut, ka raportuar 9 mijë euro. Në Vlorë, Ardit Bido ka shpenzuar rreth 20 mijë euro, ndërsa Damian Gjiknuri 10 mijë euro. Më i kursyeri ka qenë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, me vetëm 3 mijë euro në Lezhë.
