Një përleshje me thikë në orët e para të mëngjesit në Lutraqi të Greqisë ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e 17-vjeçarit shqiptar Aleks Vangjeli dhe plagosjen e një 19-vjeçari.
Sipas raportimeve, 19-vjeçari i plagosur ka identifikuar autorin e dyshuar dhe ka dhënë informacione të rëndësishme për hetimin. Ai u paraqit fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Lutrakut me plagë në gjoks dhe bark, duke pretenduar se ishin shkaktuar nga aksident, por mjekët konstatuan se ishin plagë nga mjet prerës. Për shkak të gjendjes së rëndë, ai u transferua në një spital në Athinë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, 17-vjeçari u transportua në spital nga një i afërm, por mbërriti pa shenja jete. Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar përgjegjësit.
