Kodi i ri penal sjell shtimin e veprave penale që lidhen me sigurinë ushqimore, dhe konkretisht me prodhimin e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin, ofrimin e ushqimit të pasigurtë, mashtrimin me produktet ushqimore dhe paraqitjen e rremë të produktit ushqimor.
Referuar nenit 458 të draftligjit, “Prodhimi, përpunimi, ruajtja, tregtimi, importimi, eksportimi i ushqimeve, pijeve dhe lëndëve të tjera ushqimore, përdorimi i kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë në kundërshtim me standardet ligjore të lejuara, ose përdorimi i tyre te kafshët dhe bimët që përdoren si ushqim, në kundërshtim me kërkesat ligjore, duke i bërë ushqimet të pasigurta për konsum, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në 4 vjet.
Vepra penale Ofrimi i ushqimit të pasigurtë kriminalizon therjen e kafshëve për shitje ose përdorimin e produkteve shtazore për konsum njerëzor, duke e ditur që atyre iu janë përdorur trajtime terapeutike me substanca të dëmshme. Dënimi në këtë rast shkon deri në 4 vjet burg. Është kriminalizuar gjithashtu hedhja për konsum publik e mishit ose produkteve të kafshëve të destinuara për ushqim, pa respektuar periudhat e pritjes, të parashikuara në ligj.
