Si asnjëherë tjetër, treguesit e punësimit, papunësisë, “dembelëve” dhe forcës së punës shënuan rënie njëherazi duke reflektuar ngjarje më të thella se dinamikat e tregut të punës, konkretisht reduktimin e popullsisë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë ishin të punësuar gati 10 mijë persona më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithashtu numri i të papunëve u ul me rreth 2900 në të njëjtën periudhë. Papunësia nga 113.558 persona në tremujorin e parë të vitit 2024 ra në 110.655 persona në të njëjtin tremujor të vitit 2025.
Numri më i madh i të papunëve mbetet te grupmosha 15-29 vjeç, që përfaqëson 39.5 mijë persona në 3-mujorin e 2025, megjithëse ka një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë.
Popullsia inaktive “Dembelet” ra me mbi 3800 persona. Numri i personave jo-aktivë (15 vjeç e lart që nuk janë as në punë dhe as në kërkim aktiv për punë) ka rënë nga 730.103 në 2024 në 726.214 persona në tremujorin e parë 2025.
