Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar një protestë të madhe për ditën e enjte, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë. Njoftimi u bë në një konferencë për media, ku u theksua se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës.
Gazmend Syla, përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të Luftës, tha se protesta do të mbahet të enjten në orën 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe janë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë Komunën, Policinë e Kosovës dhe shërbimet emergjente.
Sipas tij, protesta është reagim i drejtpërdrejtë ndaj faktit që Gjykata Speciale ka pranuar si dëshmi dokumente nga tri institucione shtetërore të Serbisë — veprim që veteranët e konsiderojnë të papranueshëm.
“Për ne është e papranueshme që sot bashkësia ndërkombëtare, përmes Gjykatës Speciale, i legjitimon këto institucione, ndonëse tre krerët e tyre janë dënuar për krime lufte nga gjykatat ndërkombëtare. Ky veprim cenon historinë dhe themelet e shtetndërtimit tonë,” – deklaroi Syla.
Ai shtoi se përveç protestës së nesërme, priten edhe protesta të tjera në vijim, si pjesë e një fushate të vazhdueshme në mbështetje të bashkëluftëtarëve që po gjykohen në Hagë.
