Protesta kundër kryeministrit Edi Rama vijoi edhe mbrëmjen e së mërkurës, duke shënuar ditën e 39-të radhazi të mobilizimit qytetar përpara godinës së Kryeministrisë.
Pamjet e realizuara me dron tregojnë një numër të madh protestuesish të mbledhur në bulevardin përballë Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit vijuan të kërkojnë dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Gjatë tubimit u dëgjuan vazhdimisht thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, ndërsa protestuesit u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe të vijojnë protestat.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklaruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke ritheksuar kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë, të cilën e akuzojnë për korrupsion dhe keqqeverisje.
