sh-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, njëherësh përfaqësuesi i klasës së të Përndjekurve Politikë dhe poeti i njohur, Daut Gumeni ka treguar arsyet pse Autoriteti i Dosjeve me në krye Gentiana Sulën dhe Partia Socialiste vendosën të bllokonin hapjen e dosjes së spiunit Ilir Meta Metaj (I.M). Nga ana tjetër, Gumeni në intervistën për gazetën “SOT”, komentoi dhe arrestimet e fundit në mazhorancë. Gjithashtu ai foli edhe për vizitën e fundit të zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Todd D. Robinson në Tiranë dhe mbështetjen që iu dha prokurorëve të SPAK.
-Zoti Gumeni, pse harruan socialistët dhe Gentiana Sula të hapin dosjen e spiunit I.M. Pse e çuan në “kalendat greke” ligjin që do nxirrte përfundimisht nga sistemi spiunët?
Po të vihet re me kujdes se sa herë kanë dashur apo u është dashur socialistëve tanë t’u bëjnë sehir jo vetëm marrëzive por edhe krimeve shtetërore të kryera nga ortakët e tyre të palës tjetër të këtij pluralizmit tonë të shtirë e të shpifur me dy të majta të sëmura nga nostalgjia për diktaturën që i la trashëgimtar të pushteti, ajo harresa për hapjen e dosjeve të errëta të Sigurimit të dikurshëm të shtetit nuk se ka aq shumë për t’u çuditur. Ndaj, që të mos përcillet prej tyre edhe kjo çështje në kalendat greke, sikundër thoni ju,duhet të qenë hapur sheshit me kohë ato dosje të flamosura të Sigurimit, që të shpëtonte ashtu politika e media dhe mbarë shoqëria nga ajo loja e pistë për të mbajtur dhe pushtetin e trashëguar me anën e dosjeve të zeza të Sigurimit. Po, në vend që të bënin këtë punë të mbarë e të dobishme për të gjithë, përfshirë edhe për vetë njerëzit me shumë emra, pushtetarët tanë të tranzicionit i përdorën për të mbajtur pushtetin edhe dosjet me erë të rëndë gjaku. Në vend që të ndërmerrnin atë hap çlirues e shërues për politikën e për mbarë shoqërinë, pushtetarët tanë të sëmurë për pushtet kanë bërë plot tri herë prova me kashtë të lagur, duke stisur tre institucione paftë mbi paftë, institucione fushka që nuk i hyjnë në punë as dreqit vetë e jo më një pune të mbarë e të dobishme, siç do të kishte qenë pastrimi i politikës, i medias tonë të lirë me litar në qafë dhe i mbarë shoqërisë të mbajtur peng nga dosjet edhe mbi tri dekada tranzicion të lodhshëm e pse jo dhe degradues. Mjafton të vihet re sot sesi edhe prova e tretë me kashtë të kalbur, apo ngritja me bujë e atij Autoritetit pa autoritet mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit, u kthye në njëfarë mëmëlige pa kripë, që merret me ca palo qoka për të përndjekurit politikë të diktaturës, a thua se po iu këputet shpirti për vuajtjet e tyre, kur edhe me një ligj të shpërfytyruar siç dinë ustallarët e vjetër të Sigurimit dhe çirakët e tyre, të dyja palët të trembur nga e shkuara, ai institucion qokash është ngarkuar për një punë krejt tjetër: është ngritur për të shpëtuar shtetin shqiptar nga rreziku i përhershëm që pseudonimet e djeshme të Sigurimit të mos marrin dhe një pseudonim të ri nga faktorët antishqiptarë e t’i bëjnë gjëmën vendit. Ja pse sikur del jo dhe aq me vend e me kuvend pyetja juaj pse nuk është hapur edhe pas kaq kohe dosja e Ilir Metës si spiun Sigurimi. Sepse përgjigja më e shkurtër e më e mirë mbase do të ishte pyetja: Kush ta hapë?…
-Sipas Autoritetit të Dosjeve, në një reagim te fundit më shumë se 76 personalitete të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit vazhdojnë të punojë në institucione e politikë? Beson se numri është më i lartë? Ku “fshihen” më shumë këta spiunë?
Unë nuk e di se sa spiunë Sigurimi lëvrijnë sot, si gjatë gjithë viteve të tranzicionit në këtë politikën tonë lumë e det e përrua, në median tonë të merenarizuar deri aty ku nuk mban më ujë pilafi e pse jo edhe nëpër institucionet tona artistike e shkencore. Di të them vetëm që ata ustallarët e djeshëm të Sigurimit na kishin siguruar mirë vetëm për një gjë: që nuk i zinte gjumi po të mos mbulonin me rrjetin e spiunëve të tyre të gjithë gjymtyrët rakitikë të shoqërisë sonë të sëmurë rëndë nga frika e diktaturës.
-Me arrestimet e fundit në mazhorancë, a mund të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?
Me shtimin e arrestimeve nga radhët e veta, shumicës në pushtet mbase i shtohen kusuret, por për zgjedhje të parakohshme lind nevoja vetëm kur humbet votat në Kuvend. Është tjetër gjë nëse shumica e gjykon vetë të dobishme që ta ndërmarrë një hap të tillë. Ajo varet prej vullnetit të tyre. Sa të kenë shumicën e votave në Kuvend, edhe po e kanë të nevojshme, nuk se e kanë të domosdoshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.
– Meta është me 10 dosje korruptive në SPAK, por ende “livadhis” i qetë, ndërsa Berisha ende në arrest shtëpie? Mendoni se po dështon drejtësia e re, pasi nuk po goditen “peshat e rënda”?
Nuk e di se sa dosje ka ish-kryeministri dhe ish-presidenti në zyrat e SPAK-ut. Atë mendoj se duhet ta dijë vetëm ajo strukture e Drejtësisë së Re. Kështu që, pa folur publikisht vetë SPAK-u, nuk më duket me vend të marr pjesë në muhabete pa bereqet dhe aq më tepër të çuditem pse një ish-kryeministër dhe ish-president i vendit të marrë malet apo të rrijë në shtëpinë e vet pranë oxhakut në këtë mars me rrebe, si çdo qytetar tjetër i këtij vendi. Ndryshon ca puna me ish-kryeministrin dhe ish-presidentin tjetër, i cili ndodhet në arrest shtëpie. Sepse në atë gjendje ligjore, ai duhet të zbatojë ligjin përkatës e jo të mbajë fjalime për pasuesit e vet, të cilët po i meron me kokë përpjetë edhe në ditët e ramazanit. Se mirë që, duke kujtuar me nostalgji Sokakun e të Marrëve, po e kthen dhe atë rrugicë të pafajshme në Rrugicën e Zullumqarëve, po është duke shkelur ligjin dhe kjo nuk se duket një shembull për t’u ndjekur nga tifozët e tij që mund të kenë të njëjtët halle. Në vend që të ulërasë nga lartësia e papafingos, ai ish-president dhe ish-kryeministër i këtij vendi bujar e halleshumë, mbase do të bënte më mirë të mbledhë fuqi për të përballuar gjyqin në një moshë të shtyrë. Sepse besoj që ato shiringat e mbushura me ujë të kripur deti, që u bëri ditët e fundit Nënsekretari amerikan i Shtetit, mund t’i ketë shkundur ca prokurorët e SPAK-ut dhe vjen një ditë që atij ish-presidenti dhe ish-kryeministri do t’i duhen më tepër energjitë për të shtuar bindjen e tij si i pafajshëm përballë numrit të shtuar të akuzave… Nga ana tjetër, deri tani nuk them dot se jam aq i zhgënjyer sa dukeni ju nga veprimtaria praktike e SPAK-ut. Se vërtet që është treguar më i vrullshëm kundër të akuzuarve për vjedhje, por duket që sikur ashtu mbase kërkon të mbledhë më tepër përvojë për të marrë në hetim dhe të akuzuarit për vrasje nga shteti. Le të shpresojmë e të mendojmë për më mirë, se e keqja i ka vetë këmbët e shpejta e nuk ka nevojë për ndihmën tonë. Sepse unë besoj që, po patëm fuqi, është më mirë të ndihmojmë të mirën, se ajo e shkreta është vërtet e bukur e zemërdhënëse, por është gjithnjë në pakicë… Mbase nuk është në dobi të askujt t’u biem përpara kohe kambanave të dështimit të Drejtësisë së reformuar. E para, sepse gjërat e mira duan gjithnjë kohën e vet dhe e dyta, sepse edhe zbatuesit në praktikë të Drejtësisë së Re nuk se i kemi marrë nga Norvegjia apo nga Danimarka. Si shqiptarë të mirë të kësaj kohe ca të lajthitur, kanë dhe ata cenet e kohës që jetojmë të gjithë. Nuk se ka gjë aq për t’u çuditur që edhe pjesëtarët e SPAK-ut t’i kapë pak ajo droja që mbërthen aq keq ca drejtues të mediave tona gagaç kur kanë përballë “peshat e rënda” (sikundër i quani ju) të politikës tonë të tranzicionit. Me sa duket, nuk paska dalë vetëm për të qeshur ajo gazmorja e atij “të shëruarit”, i cili nuk e kishte marrë ende sigurinë se dhe gjeli e dinte që ai nuk ishte kokërr misri…Na mbetet të shpresojmë e të urojmë njëherësh që ajo shiringa me ujë deti, që duket se u bëri pjesëtarëve të SPAK-ut Nënsekretari Robinson, mbase ua shton vrullin dhe guximin e ligjshëm qytetar prokurorëve të SPAK-ut që të kenë po atë bereqet që kanë me vjedhjet edhe me vrasjet në emër të pushtetit, krime shtetërore të kryera e të deklaruara faqe botës me mburrje nga ca “pesha të rënda” të politikës sonë gjëmëmadhe të tranzicionit, “pesha të rënda” zullumqarësh të mbrojtur nga pandëshkueshmëria, “pesha të rënda” të pasuruara me vjedhje, me grabitje e me krime, që ia kanë bërë shpinën e zemrën gjak popullit të tyre për këto 34 vjet të gjatë. Ja përse them që, në vend që t’ua ndjellim dështimin prokurorëve të SPAK-ut nisur nga droja që kanë për ta zbatuar ligjin me të njëjtën rreptësi e ndershmëri për cilindo shkelës, mbase është më e dobishme për të gjithë që atyre prokurorëve t’u urojmë shëndet e punë të mbarë, t’u urojmë guxim qytetar gjithnjë në rritje, për ta bërë Shqipërinë tonë një vend më të mirë për të jetuar, një vend me drejtësi të barabartë për të gjithë e me liri të garantuar nga ligji njëlloj për të gjithë.
