Edi Rama urdhër të prerë qeverisë, të gjithë funksionarët nën hetim jashtë administratës, drejtori i prokurimeve…

Data

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një sinjal të qartë për pastrimin e administratës nga funksionarët e lartë të korruptuar. Mësohet se ai ka dhënë një urdhër të prerë, që sipas burimeve të brendshme, ka tronditur thellësisht korridoret e pushtetit. Një lëvizje që jo vetëm ngre nivelin e përballjes me korrupsionin, por gjithashtu rrezikon të shkaktojë një stuhi politike brenda dhe jashtë qeverisë. I pari që ka rënë viktimë e kësaj “furie spastruese” është Jonaid Myzyri, drejtori i Komisionit të Prokurimit Publik, një emër që kohët e fundit është kthyer në simbol të aferave të dyshuara korruptive.

Myzyri, i thirrur dy herë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë vitit të kaluar, është përballur me hetime të thella për një seri tenderash, mes tyre dhe afera e famshme e sterilizimit. Dyshimet për Myzyrin nuk janë të reja. Në shkurt të vitit të kaluar, ai është marrë për më shumë se dy orë në pyetje nga prokurorët e SPAK, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme që të zgjerohej hetimi për rolin e Komisionit të Prokurimit Publik në këtë skandal. Burime pranë hetimit sugjerojnë se Myzyri dyshohet të ketë luajtur një rol kyç në miratimin e tenderave që u shoqëruan me abuzime të rënda financiare.

Skema

Por largimi i Myzyrit është vetëm fillimi, sipas burimeve nga brenda qeverisë. Mësohet se të gjithë funksionarët e lartë të administratës në nivel drejtorësh, që kanë llogari të hapura me drejtësinë, pritet të përballen me të njëjtin fat. Intrigat dhe presionet mes strukturave politike dhe administrative tashmë janë intensifikuar. Burime pranë qeverisë flasin për një “listë të zezë” që përfshin emra të rëndësishëm, të cilët janë nën vëzhgimin e rreptë të SPAK dhe që mund të shkaktojnë tërmet në skenën politike shqiptare.

Kështu që lëvizja e Ramës mund të shihet si një përpjekje për të forcuar imazhin e tij si lider që mbështet reformën në drejtësi dhe për atë rregulluar imazhin para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, por gjithashtu nuk mungojnë zërat kritikë që e shohin këtë si një strategji për të larguar rivalët brenda partisë dhe administratës. Ndërkohë, opinioni publik pret me kureshtje zhvillimet e mëtejshme, ndërsa tensionet në politikë sa vijnë e rriten. A është ky fillimi i fundit për një epokë abuzimesh në administratë, apo një lojë tjetër politike për të mbuluar intriga të reja? Sipas burimeve, vetëm koha do ta tregojë.

Çfarë ka ndodhur me Myzyrin?

Ndërkohë kujtojmë se qeveria Rama ka shpallur garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). Përmes një thirrjeje të publikuar në Buletinin e Prokurimeve, Kryeministria fton personat e interesuar që të aplikojnë për të qenë kryetar i KPP. Sipas njoftimit, aplikanti duhet të përmbushë një sërë kriteresh, mes të cilëve edhe atë të mosqenit nën procedim penal për kryerjen e një vepre penale. “Aplikanti duhet të paraqesë vërtetim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se nuk është nën procedim penal për kryerjen e një vepre penale”, thuhet në shpallje. Në thirrjen e shpallur, Kryeministria njofton se aplikantët e interesuar kanë kohë deri në 27 janar për të dorëzuar aplikimet e tyre.

Që prej korrikut të vitit 2020, Komisioni i Prokurimit Publik është drejtuar nga Jonaid Myzyri. Por më parë gjatë periudhën 2015-2019, ai ka mbajtur postin e inspektorit pranë këtij institucioni. Gjatë vitit të kaluar zoti Myzyri është thirrur dy herë nga SPAK, për një sërë tenderash, ku çështja më e bujshme është ajo e koncesionit të sterilizimit. Në shkurt të vitit të kaluar Myzyri u mor për më shumë se dy orë në pyetje nga prokurorët e SPAK për çështjen e Sterilizimit. Myzyri u përfshi në këtë çështje, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar urdhëroi SPAK që të hetojë dhe rolin e Komisionit të Prokurimit Publik në aferën e Sterilizimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related