S’ka qetësi në Himarë, dorëhiqet kryetarja e komanduar Blerina Bala, Këshilli Bashkiak vendos të premten drejtuesin e ri, Vangjel Tavo në pikëpyetje për të kandiduar pas thirrjes në SPAK

Data

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala ka dhënë dje dorëheqjen pas rreth 2 muajsh. Burime për mediat bëjnë me dije se dorëheqja është zyrtarizuar, por vetë Bala nuk është paraqitur fizikisht për të dorëzuar dorëheqjen. Një vendim “për arsye personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë”, kështu e ka argumentuar Balla dorëheqjen e saj nga drejtimi i përkohshëm i Bashkisë së Himarës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Në letrën e dorëheqjes dorëzuar dje më 5 qershor, Bala shkruan se ka punuar me përkushtim dhe ka qenë një periudhë sa e vështirë dhe e mrekullueshme. “Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua. Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për te vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë. Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicion i Kryetares së Bashkisë Himarë. Dua të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe çdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe. Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për çdo gjë që kemi arritur së bashku”, shkruan Balla në letrën e dorëheqjes.

Detajet

Ndërkohë të premten në Këshillin Bashkiak të Himarës pritet të mbahet mbledhja për zgjedhjen e kryetarit të ri të komanduar, pas dorëheqjes së Blerina Balës. Gara do jetë mes dy nënkryetarëve Pervin Gjikuria dhe Arqile Bollano. Kujtojmë që në mbledhjen e 29 marsit të Këshillit Bashkiak të Himarës, Pervin Gjikuria hoqi dorë nga gara me Balën, duke i qëndruar nevojës për një proces të paqtë që të mos cenonte sezonin turistik. I kontaktuar nga mediat dje për mbledhjen e së premtes të Këshillit Bashkiak ku pritet të zgjidhet kryetari i ri, Gjikuria thotë sërish se nëse situata do të jetë e tensionuar dhe do të ketë zhurma si proces, ai sërish do të heqë dorë, pasi rëndësi ka një sezon i mbarë që nuk cenohet nga situata politike. “Vonesat në vendimmarrje në këtë fazë të sezonit turistik nuk do i shërbenin Himarës”, deklaroi Gjikuria. Por nga ana tjëtër, duket se lajme jo të mira vijnë për Prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo, i cili është në pikëpyetje për të kandiduar për kryetar Bashkie në Himarë, pas thirrjes në SPAK.

Reagon Tavo

Më herët edhe Prefekti i Vlorës, Vangjel Tavo, ka komentuar në një prononcim për mediat mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, ku Blerina Bala u votëbesua për të drejtuar bashkinë. “…Unë si prefekt në bashkëpunim me kryetaren e sapo caktuar dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës do të fillojmë që nga dita e martë që të përfundojmë të gjithë procesin e pajisjes së qytetarëve të kësaj bashkie me dokumentin hipotekor. Jemi në çelje të sezonit turistik që pritet të ketë fluks të shtuar vizitorësh në Himarë dhe kjo na obligon, ne pushtetin vendor dhe mua si prefekt për të pritur këtë fluks të shtuar turistësh, për të rritur ekonominë e çdo familje himarjote dhe për të shtuar të ardhurat në buxhetin e bashkisë që do të investohen në shërbim të komunitetit. Motivi im është bashkim, bashkëpunim dhe punë. Kështu do të vazhdoj siç kam bërë që nga dita e parë që kam nisur punën në prefekturën e Vlorës.”, deklaroi ai pak javë më parë. I pyetur nëse do të kandidojë nën siglën e Partisë Socialiste nëse do të mbahen  zgjedhje të parakohshme për bashkinë e Himarës, Tavo e la të hapur. “Sot jam prefekt i caktuar i qarkut të Vlorës dhe flas në cilësinë e prefektit. Kemi shumë punë përpara për të bërë. Kemi absolutisht angazhim që kemi marrë për komunitetin e Himarës. Ky është shqetësimi ynë primar sot dhe nuk ka të bëjë fare me kandidimin ose jo timin ose të çdo figure tjetër në Himarë”, nënvizoi Tavo.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related