Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas daljes publike të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila është nën hetim për çështje që lidhen me abuzimin me të dhënat dhe sistemet shtetërore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi intervistën e Karçanajt si “teatër të konsumuar”, ndërsa e akuzoi atë se ka shërbyer si “prestanome” e aferave korruptive të qeverisë.
Sipas liderit demokrat, ish-zyrtarja e AKSHI-t po përpiqet të paraqitet si viktimë, ndërkohë që, sipas tij, për vite me radhë ka qenë pjesë e një sistemi korruptiv të lidhur me pushtetin.
“Mirlinda Karçanaj doli në një shfaqje televizive qesharake duke u përpjekur të luante viktimën, ndërkohë që për vite me radhë ka shërbyer si prestanome e aferave miliona euro të Lindës së Surrelit dhe klikës së pushtetit”, shkroi Berisha.
Ai krahasoi rastin e Karçanajt me ish-zyrtarë të tjerë socialistë të përfshirë në hetime, si Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako, duke pretenduar se po përdoret e njëjta strategji publike për të shmangur përgjegjësinë.
“I njëjti teatër i konsumuar që kanë luajtur dikur Saimir Tahiri e Vangjush Dako, duke bredhur studiove me duart ‘akullore’ dhe me refrenin banal se ‘e vërteta do të dalë’”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Berisha lëshoi akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortes së tij, Linda Rama.
“As Mirlinda, as Linda e Surrelit dhe as Rama nuk do t’i shpëtojnë përgjegjësisë. Fundi i çdo pushtetari që ndërton pasuri mbi vjedhjen, arrogancën dhe mashtrimin është i njëjtë: burgu dhe turpi publik”, deklaroi kreu i PD-së.
Në të njëjtin postim, Berisha u ndal edhe te situata ekonomike e pensionistëve në vend, duke deklaruar se rreth 490 mijë pensionistë marrin pension të pjesshëm. Ai tha se një nga prioritetet kryesore të Partisë Demokratike do të jenë ndërhyrjet për përmirësimin e kushteve të pensionistëve.
