“Sot iu hoq mandati Lubisë!” Berisha shpërthen: Motra avokate e Ballukut ka lexuar dosjen, mesazhet dhe videot

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Belinda Balluku është de facto pa imunitet, duke theksuar se mbledhja e sotme e Këshillit të Mandateve, e thirrur nga anëtarët demokratë, është plotësisht e vlefshme dhe me efekt politik e kushtetues.

“Sot, de facto, Këshilli i Mandateve i hoqi mandatin Lubi Ballukut. Mbledhja është plotësisht valide,” deklaroi Berisha, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta bllokuar këtë proces do të sjellë përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për kryetarin e Kuvendit.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për zvarritje të qëllimshme të procesit, duke pretenduar se justifikimi për “mosleximin e dosjes” është i rremë. Sipas tij, Balluku jo vetëm që është njohur me materialet, por ka pasur akses të plotë edhe përmes motrës së saj, e cila është avokate.

“Çfarë do të thotë nuk i kemi lexuar? Çfarë nuk ka lexuar? Ka marrë motrën avokate. Janë lexuar mesazhet, dosja, videot. Ka mbetur vetëm koha që u duhet për të shkatërruar qindra dokumente,” u shpreh Berisha, duke e cilësuar situatën si tejkalim të çdo vije të kuqe.

Ai deklaroi se kjo që po ndodh është një ngjarje e paprecedentë, e cila po zhvillohet para syve të qytetarëve shqiptarë dhe të komunitetit ndërkombëtar. Sipas tij, mazhoranca po vepron me arrogancë dhe pacipësi për të penguar drejtësinë dhe për të shpëtuar zyrtarë të lartë nga përgjegjësia penale.

Në përfundim, Berisha paralajmëroi se Partia Demokratike do t’i përgjigjet kësaj situate me të gjitha mjetet demokratike, si në rrugë ligjore, ashtu edhe përmes protestave të fuqishme dhe të ligjshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related