Konsumimi i maxhorancës gjatë 12 viteve pushtet nga skandalet korruptive dhe mosreformimi i opozitës kanë krijuar kushtet që më 11 maj, një numër partish të vogla të kenë së paku shpresë për mandate parlamentare, duke vënë për herë të parë në diskutim duopolin historik PS-PD mbi pushtetin.
Është një sekret që e dinë të gjithë që dy partitë e mëdha, Partia Socialiste në të majtë dhe Partia Demokratike në të djathtë, kanë bashkuar votat për të vendosur një numër pengesash për partitë e vogla apo alternativat e reja politike, gjë që nga ana e vet ka sjellë edhe forcimin e rolit të kryetarit të partisë si dhe zhvleftësimin e parlamentit si institucion kontrollues mbi ekzekutivin.
Historia nisi në vitin 2008 me marrëveshjen Rama-Berisha, e cila krijoi sistemin me lista të mbyllura rajonale, sistem që është përdorur në zgjedhjet e viteve 2009, 2013 dhe 2017, me pak variacion në zgjedhjet e vitit 2021. Me një variacion të ri, i njëjti sistem do të përdoret në zgjedhjet e 11 majit, ku dy palët e marrëveshjes së vitit 2008 vijojnë të jenë po të njëjtët.
Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, kërkon në këto zgjedhje një mandat të katërt si kryeministër, ndërsa para se të shërbente si kryeministër, ka mbajtur postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë për njëmbëdhjetë vjet të tjera. Përballë tij është Sali Berisha, i cili ka qenë për pesë vjet president i vendit me fuqi të mëdha në vitet ’90, si dhe tetë vjet kryeministër.
Objektivi i deklaruar i Ramës është që jo vetëm të fitojë zgjedhjet, por të fitojë tre të pestat e parlamentit. As ai dhe as politikanë të tjerë socialistë që kanë artikuluar objektivin e tre të pestave, një shumicë parlamentare që mundëson ndryshime të pakonsultuara me opozitën të Kodit Zgjedhor, të Kodit Penal apo Kodit Civil apo të shumë prej ligjeve që hodhën themelet e Reformës në Drejtësi, nuk kanë shpjeguar se për çfarë arsye mendojnë se ata kanë nevojë për një shumicë të tillë dhe as nuk kanë shpjeguar se për çfarë qëllimesh do të përdorin një shumicë të tillë, nëse e fitojnë.
