Sipas “CNN”, Kina është angazhuar në një “garë të re armatimesh” dhe ka intensifikuar ndërtimin e impianteve për prodhimin e raketave. Pas vitit 2020, Pekini ka nisur një zgjerim masiv të kapaciteteve për zhvillimin e raketave, duke forcuar aftësinë e tij për të penguar ushtrinë amerikane dhe për të pohuar dominimin e tij në rajonin e Azi-Paqësorit. Ekspertët thonë se më shumë se 60% e 136 objekteve që lidhen me forcën raketore kineze kanë shfaqur shenja të zgjerimit në imazhet satelitore, duke përfshirë fabrikat dhe qendrat e testimit. Përzgjedhja e këtyre objekteve tregon një rritje të madhe të sipërfaqes të ndërtuar, me më shumë se 2 milionë metra katrorë të shtuar midis vitit 2020 dhe 2025.
Kjo është një pjesë e strategjisë të Presidentit Xi Jinping, i cili ka investuar miliarda dollarë në forcën ushtarake të Kinës që nga ardhja në pushtet në vitin 2012. Një fokus i veçantë është Forca Raketore, e cila kontrollon arsenalin bërthamor të Kinës dhe është thelbësore për parandalimin strategjik dhe mbështetje në pozicionin e vendit si superfuqi. Po ashtu, Kina po e rrit arsenalin e saj bërthamor më shpejt se çdo komb tjetër, duke shtuar rreth 100 raketa bërthamore çdo vit që nga 2023, edhe pse akoma mbetet shumë larg SHBA-së dhe Rusisë, që kontrollojnë 90% të arsenaleve bërthamore globale. Objektet e reja që po ndërtohen mund të luajnë një rol të rëndësishëm në një sulm të mundshëm ndaj Tajvanit. Gjithashtu, Kina ka rritur buxhetin e mbrojtjes me 7.2% këtë vit, duke e çuar totalin në rreth 245 miliardë dollarë, duke treguar angazhimin për forcimin e ushtrisë së saj.
