Opozita pritet të zhvillojë sot, më 20 shkurt, një protestë kombëtare para Kryeministrisë në Tiranë, duke paralajmëruar intensitet më të lartë krahasuar me tubimet e mëparshme.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, deklaroi se protesta do të jetë “më e fuqishme” dhe se po shqyrtohen forma të ndryshme veprimi, përfshirë rrethimin e institucioneve dhe grevën e urisë nga deputetët. Ai la të kuptohet se strategjia mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve, ndërsa theksoi se “të gjithë skenarët janë në konsideratë”.
Nga ana tjetër, kreu i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e orës 18:00, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe kapje të institucioneve.
Reagimi i Ambasadës së SHBA
Në një njoftim zyrtar, Ambasada e SHBA në Tiranë paralajmëroi qytetarët amerikanë për mundësinë e përshkallëzimit të situatës. Sipas njoftimit, protesta do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshit “Nënë Tereza” dhe Sheshit “Skënderbej”.
Ambasada këshillon shmangien e zonës së tubimit, duke theksuar se edhe protestat që nisin në mënyrë paqësore mund të ndryshojnë shpejt dhe të çojnë në bllokime rrugësh apo incidente. Personeli diplomatik është udhëzuar të shmangë zonën dhe të ndjekë njoftimet e autoriteteve vendore.
Masat e policisë
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se mbi 1000 efektivë do të angazhohen për garantimin e rendit dhe sigurisë. Janë parashikuar bllokime dhe devijime trafiku në disa akse kryesore të qendrës së Tiranës.
Duke nisur nga ora 15:00 pritet të kufizohet qarkullimi në segmentin nga Ministria e Brendshme deri në Sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në disa rrugë përreth. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonat e bllokuara dhe të respektojnë udhëzimet e policisë.
Protesta e sotme përkon me përvjetorin e 20 shkurtit 1991, datë simbolike për opozitën, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet tubimi dhe nëse do të ketë përshkallëzim të situatës.
