Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, për shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Vendimi u shpall më 20 shkurt 2026 nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj. Sipas njoftimit zyrtar, gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së të pandehurit J.Ç., duke argumentuar se dënimi nuk ishte përfunduar plotësisht në momentin e paraqitjes së kërkesës.
Avokati i Çyrbjas ka pretenduar se klienti i tij duhet të lirohej menjëherë, pasi kishte përfunduar dënimin. Megjithatë, gjykata vlerësoi se mbeteshin ende disa orë për t’u ekzekutuar nga masa e dhënë.
Çyrbja u arrestua më 20 tetor 2024 dhe më 3 nëntor 2025 u dënua me 3 vite burg për veprat penale “zbulim i sekretit shtetëror” dhe “përkrahje e autorit të krimit”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite heqje lirie.
Ai ka qenë deputet i Kuvendit për dy legjislatura dhe dha dorëheqjen nga mandati në tetor 2024, në kohën kur hetimet e SPAK kishin hyrë në fazën përfundimtare.
