Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të PD-së, duke deklaruar se do të hyjë në garë në zgjedhjet e 23 majit.
Në një intervistë televizive, Salianji konfirmoi se do të përballet në këtë garë me liderin aktual të demokratëve, Sali Berisha, ndërsa theksoi se vendimi i tij vjen pas një serie takimesh me mbështetës dhe strukturat e partisë.
“Patjetër që do të kandidoj, do të jem në garë më 23 maj. Kam bërë një tur takimesh dhe kam dëgjuar shqetësimet e demokratëve,” u shpreh ai.
Salianji ngriti një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj gjendjes aktuale të Partisë Demokratike, duke theksuar se në këtë formë, sipas tij, opozita nuk ka mundësi të fitojë zgjedhjet përballë Partisë Socialiste.
“PD kështu siç është, është një parti që nuk fiton dot,” deklaroi ai.
Megjithatë, ai theksoi se kandidimi i tij nuk lidhet me konflikte personale me Berishën, por me nevojën për të reflektuar mbi problemet e brendshme dhe për ta bërë partinë më konkurruese.
“Unë nuk jam marrë me Berishën dhe me askënd tjetër, por me shqetësimet që kanë demokratët,” shtoi Salianji.
Gara për drejtimin e PD-së pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme për opozitën, në një kohë kur brenda saj po shtohen debatet për drejtimin dhe strategjinë politike në të ardhmen.
