Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të bërë nga kreu i PD-së, Sali Berisha, duke e cilësuar atë si të pavërtetë dhe të fabrikuar.
Gjatë një emisioni televiziv, Salianji u pyet për pretendimin e Berishës se ai kishte kërkuar të firmoste një deklaratë ku garantonte se nuk do të vriste ish-ministrin Fatmir Xhafaj.
Salianji e mohoi kategorikisht këtë version, duke e quajtur një “shpifje”.
“Është një deklaratë e shpikur. Këto janë biseda të shpikura,” u shpreh ai.
Ai theksoi se diskutimet private nuk duhet të bëhen publike, duke shtuar se nëse do të ndiqej kjo logjikë, mund të nxirrte edhe ai biseda të tjera në publik.
“Diskrecioni është pjesë e burrërisë. Çfarë diskutohet në një banesë mbetet në shtëpi,” tha Salianji.
Ish-deputeti nënvizoi se nuk ka synuar të sulmojë askënd personalisht brenda Partisë Demokratike, por kërkon një garë të hapur dhe demokratike për drejtimin e saj.
“Unë po kërkoj garë. Garat e bashkojnë partinë. As presioni dhe as kërcënimi nuk ecën me mua,” deklaroi ai.
Në vijim, Salianji ngriti shqetësime për funksionimin e brendshëm të PD-së, duke theksuar se sipas statutit të partisë, humbja në zgjedhje duhet të pasohet me largimin e kryetarit, por shtoi se ai nuk po kërkon këtë, por vetëm mundësinë për të kandiduar.
Debatet mes figurave kryesore të opozitës po thellohen në prag të zgjedhjeve për drejtimin e PD-së, duke reflektuar përçarjet dhe sfidat e brendshme në këtë forcë politike.
