Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka komentuar garën për drejtimin e partisë, duke theksuar se kandidimi për kryetar nuk është një proces i hapur për “këdo”.
I ftuar në një studio televizive, Bozdo u shpreh se drejtimi i PD-së lidhet drejtpërdrejt me drejtimin e vendit, pasi sipas tij, kryetari i partisë është njëkohësisht edhe kandidat potencial për kryeministër.
“PD nuk duhet të ketë kompleks ta thotë se kjo është një garë për kryeministrin e Shqipërisë. Dhe kryeministri i ardhshëm nuk mund të jetë kushdo,” deklaroi ai.
Sipas deputetit demokrat, roli i liderit kërkon profil politik dhe përgjegjësi të lartë, duke përjashtuar mundësinë që gara të banalizohet me kandidatura pa peshë.
Sa i përket zhvillimeve brenda partisë, Bozdo e cilësoi debatin të shëndetshëm, duke theksuar se mendimet ndryshe janë pjesë normale e funksionimit të një force politike.
Në lidhje me aksionin opozitar, ai u shpreh se Partia Demokratike po analizon hapat e radhës, duke theksuar nevojën për strategji dhe koordinim më të gjerë.
“Duhet një diskutim më i gjerë dhe një rrahje mendimesh për të maksimizuar efektin dhe qëndrueshmërinë e protestës,” tha Bozdo.
Në përfundim, ai nënvizoi se çdo veprim i opozitës duhet të jetë i menduar mirë në kohë dhe në funksion të rritjes së energjisë politike, me synim arritjen e objektivave të saj.
