Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj kërkesës së opozitës për zhvillimin me dyer të hapura të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Balla e cilësoi të pakuptueshme dhe qesharake që opozita kundërshton kërkesën e prokurorit për zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura, duke theksuar se kjo është pjesë e procedurës së kërkuar nga organi i akuzës.
“Është e pakuptueshme dhe qesharake që PD kundërshton kërkesën e prokurorit për zhvillim me dyer të mbyllura, duke pranuar vetëm një pjesë të së njëjtës kërkesë; mjerë Shqipëria për këtë opozitë”, u shpreh Balla.
Debati mes mazhorancës dhe opozitës lidhet me mënyrën e zhvillimit të mbledhjes, ndërsa Këshilli i Mandateve pritet të shqyrtojë kërkesën e SPAK sipas procedurave të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit.
