Gazetari Sokol Balla ka lënë ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pas rreth dy orësh qëndrimi, ku u mor në pyetje në kuadër të hetimeve ndaj ish-bashkëshortes së tij, Belinda Balluku.
Balla u thirr nga prokurori i çështjes dhe u pyet në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana që lidhen me dosjen në hetim. Ai nuk është nën akuzë, por është thirrur për të dhënë sqarime mbi elementë të çështjes.
Hetimet e SPAK ndaj Ballukut përfshijnë verifikime mbi procedura prokurimi, pasuri dhe transaksione financiare. Sipas burimeve, po shqyrtohen gjithashtu udhëtime, pagesa dhe marrëdhënie me subjekte që kanë përfituar tendera gjatë kohës që ajo ka ushtruar detyrë publike.
Çështja mbetet në hetim dhe pritet që organi i akuzës të vijojë me veprime të tjera procedurale në ditët në vijim.
