Operacion antidrogë në Athinë/ Arrestohen 2 shqiptarë që shisnin drogë në kampuset studentore

Data

Një operacion antidrogë i zhvilluar nga policia greke në Athinë ka çuar në arrestimin e katër personave, mes tyre edhe dy shtetas shqiptarë, të dyshuar si pjesë e një organizate kriminale që vepronte në trafikun e lëndëve narkotike.

Operacioni u zhvillua nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimit në Athinë dhe kishte si objektiv shpërbërjen e rrjetit që operonte brenda Kampusit Universitar Zografou, një nga zonat më të frekuentuara nga studentët.

Sipas mediave greke, të arrestuarit janë dy shtetas grekë dhe dy shqiptarë. Edhe pse nuk banonin në qendrat studentore, ata dyshohet se shfrytëzonin ambientet e kampusit për shpërndarjen e drogës.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi rreth 6 kilogramë kanabis, afro 20 mijë euro para cash, si dhe disa telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse rrjeti kishte lidhje të tjera dhe për të identifikuar persona të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonat universitare të Athinës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related