Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në një stacion metroje në Hamburg, ku dy persona humbën jetën në rrethana tragjike. Sipas policisë gjermane, bëhet fjalë për një akt të dhunshëm që po hetohet si vrasje.
Rreth orës 22:07, një vajzë 18-vjeçare po priste trenin në platformën e linjës U1, kur një 25-vjeçar iu afrua papritur dhe e kapi me forcë, duke e tërhequr drejt shinave. Të dy ranë përpara trenit që po hynte në stacion dhe u goditën fatalisht, duke humbur jetën në vend.
Dëshmitarë okularë kanë deklaruar se i riu kishte lëvizur më herët në mënyrë të çrregullt përgjatë platformës dhe dyshohet se mund të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit. Hetuesit po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Pas incidentit, qarkullimi i metrosë në këtë linjë u pezullua për disa orë. Ekipet e emergjencës dhe shërbimi psikologjik i Kryqit të Kuq Gjerman ofruan mbështetje për dëshmitarët, të cilët përjetuan nga afër skenën tronditëse.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e prokurorisë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi shkaqet që çuan në këtë akt ekstrem dhune.
