Tregtarët e Tregut të Madh në Vlorë kanë protestuar sot para Bashkisë, duke kundërshtuar vendimin për ndarjen dhe zhvendosjen e tyre në dy tregje të ndryshme. Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, sektori i fruta-perimeve do të transferohet në tregun e Çoles, ndërsa tregtarët industrialë në tregun e Shumicës në Jalli të Nartës.
Tregtarët shprehen se kjo zgjidhje nuk është funksionale dhe rrezikon seriozisht aktivitetin e tyre ekonomik. Ata u mblodhën pranë Pallatit të Kulturës, aty ku po zhvillohej mbledhja e Këshillit Bashkiak, duke kërkuar një zgjidhje të qartë dhe përfundimtare për sistemimin e tyre pas nisjes së punimeve për ndërtimin e tregut të ri.
Sipas tregtarëve të sektorit industrial, mungesa e një tregu të mirëfilltë dhe i përshtatshëm do të çojë në humbje të klientëve dhe të ardhurave, duke i vënë ata përballë vështirësive serioze ekonomike. Ata theksojnë se nuk janë kundër ndërtimit të tregut të ri, por kërkojnë që deri në përfundimin e tij të sistemohen në kushte të barabarta dhe funksionale.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak ka miratuar vendimin për zhvendosjen sipas sektorëve, por tregtarët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë nëse nuk gjendet një zgjidhje që garanton vijimësinë normale të punës së tyre.
