Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) është larguar dhe në krye ka ardhur, Olsi Komici, i cili deri më tani ka kryer detyrën e komisionerit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pra në një nga organet e reja të drejtësisë që u mor me procesin e vetingut, të heqjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas denoncimit të opozitës, problemi është se qeveria dhe Edi Rama e shohin zyrën e AKU, jo si një përgjegjësi të madhe publike, por si një post për të kënaqur interesat e për të shpërblyer fluksin e tyre.
PD u shpreh së fundmi se ky emërim i një komisioneri të rëndësishëm të vetingut në agjenci qeveritare, dëshmon po ashtu mungesën e pavarësisë së këtij procesi në drejtësi. “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është një institucion që ka detyrim shumë të fortë ndaj publikut dhe qytetarëve që ka të bëjë me cilësinë dhe garancinë e asaj që njerëzit konsumojnë. Edi Rama që për vete konsumon verë 33 mijë euro shishja, frekuenton qendrat më të shtrenjta të detoksifikimit në Europë, sigurisht nuk e ka problem se çfarë hanë e çfarë pinë qytetarët. Atij i intereson më shumë të shpërblejë me një post, dikë që i ka shërbyer”, denoncoi Partia Demokratike.
