Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani ka komentuar situatën politike, ekonomike, juridike dhe sociale në vend, ndërsa ka premtuar me guxim se frika nga oligarkët dhe politikanët e korruptuar nuk do ta ndalë angazhimin e tij për ndryshime thelbësore në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ai thekson se qytetarët duhet të votojnë Nismën Thurje për të sjellë një alternativë të re në politikën shqiptare, një alternativë që siç vë në dukje ai, përfaqëson interesat e njerëzve dhe jo të grupeve të fuqishme. Në një kohë kur korrupsioni dhe abuzimi me pasuritë kombëtare janë bërë të zakonshme, Shabani ka bërë thirrje për mobilizim dhe vetëdijesim të qytetarëve.
Zoti Shabani gjithashtu gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ka komentuar mbi kallëzimin penal për Portin e Vlorës, duke shprehur angazhimin e Nismës Thurje për të luftuar për drejtësi dhe transparencë. “Nuk do të ndalemi derisa drejtësia të ndëshkojë abuzuesit”, thekson Shabani, duke e vendosur theksin te nevoja për një reformë të thellë që do të sigurojë mbrojtjen e pasurisë kombëtare. Në këtë kontekst, kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani nxit qytetarët të bëjnë zgjedhjen e duhur në zgjedhjet e ardhshme, për të ndihmuar në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë dhe më të barabartë.
-Çfarë po ndodh me kallëzimin penal kundër biznesmenëve Samir Mane dhe Geront Çela për Portin e Vlorës?
Kallëzimi ynë për Vlora Marinën është një përballje e drejtpërdrejtë me modelin që ka shkatërruar Shqipërinë për dekada. Ky rast nuk përfaqëson vetëm thjesht një çështje korrupsioni, apo abuzimi me pushtetin, por është një luftë për të çliruar pasuritë tona kombëtare nga kthetrat e disa njerëzve që i quajmë oligarkë por që janë kthyer në feudalët e Shqipërisë. Ne nuk mund të ndërhyjmë në hetimet e SPAK-ut, dhe as nuk kemi informacion përtej asaj që është publike, për shkak të sekretit hetimor. Por dua të them se ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia të zbardhë të vërtetën, dhe të ndëshkojë këdo që abuzon me pasurinë tonë kombëtare. Kjo nuk është thjesht një betejë ligjore, është një betejë për të mbrojtur pasurinë kombëtare dhe dinjitetin tonë si popull.
-A ndiheni i frikësuar që keni paditur në SPAK një “oligark”?
Frikë duhet të kenë ata që kanë shkelur ligjin, duke abuzuar me pasurinë publike dhe e dinë se herët ose vonë do përballen me pasojat e asaj që i kanë bërë këtij vendi.
Unë besoj se çdo njeri që është në anën e drejtë të historisë duhet të ketë guximin për të thënë publikisht të vërtetën që njerëzit e zakonshëm e shohin me sytë e tyre çdo ditë dhe e flasin në kafene apo në familje. Shqipëria është kapur nga një elitë politike dhe ekonomike që ka ndikuar fuqishëm në çdo aspekt të jetës publike. Denoncimet tona janë bërë për të zbuluar të vërtetën dhe për të siguruar që drejtësia të vendoset në vend. A ka rrezik të përballesh me këta?! Padyshim që po, por dikush duhet ta bëjë këtë betejë dhe ne mendojmë që ne kemi detyrimin për tu përballur në respekt të prindërve tanë dhe për hir të brezave që do të vijnë.
-Besoni se drejtësia mund të çojë në burg oligarkët kryesor dhe politikanët e korruptuar në vend?
Pa dyshim që besoj, se një drejtësi e pavarur ka fuqinë për të ndryshuar rrënjësisht skenën politike në Shqipëri. SPAK ka filluar të japë goditje të rëndësishme, por ky është vetëm fillimi. Njerëzit do të kuptojnë se fundi i një epoke të pandëshkueshmërisë ka nisur. Ky vend do të shkojë përpara vetëm duke ndëshkuar ata që kanë marrë vendin peng, dhe jo vetëm që oligarkët dhe politikanët e korruptuar do të bien, por do të hapet rruga për një Shqipëri tjetër, më të drejtë dhe më të barabartë.
