Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Gjatë një mbledhjeje me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama paralajmëroi se mazhoranca do të ndërhyjë në legjislacion për të zgjidhur situatën, duke theksuar se nuk ekziston asnjë urgjencë për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
Sipas Ramës, vendimi i Kushtetueses ka nxjerrë në pah një problem thelbësor në raportin mes pushteteve dhe funksioneve kushtetuese, i cili nuk mund të zgjidhet përmes rasteve individuale, por kërkon ndërhyrje ligjore.
Në përfundim të mbledhjes, kryeministri renditi tre konkluzione kryesore:
Së pari, Rama theksoi se funksionet kushtetuese të padelegueshme, nga anëtarët e qeverisë deri te Presidenti i Republikës, nuk mund të pezullohen nga asnjë autoritet mbi bazën e një emri të veçantë, pasi pezullimi paralizon vetë institucionin që përfaqësojnë.
Së dyti, ai u shpreh se, duke u nisur edhe nga deklarata publike e Gjykatës Kushtetuese, ku anëtarët e trupës janë shfaqur unanimë për ekzistencën e një problemi ligjor, por të ndarë mbi zgjidhjen, Grupi Parlamentar Socialist do të angazhohet për ta adresuar këtë çështje përmes ndryshimeve në legjislacion.
Së treti, Rama deklaroi se pala e vetme që përfiton nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, i cili, sipas tij, në kushtet aktuale mund të vijojë hetimet pa asnjë pengesë. Për këtë arsye, ai theksoi se deri në gjetjen e një zgjidhjeje ligjore nuk ekziston asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Në një shtesë të qëndrimit të tij, kryeministri theksoi se Prokuroria e Posaçme nuk preket nga këto zhvillime, por përkundrazi mbështetet. Sipas Ramës, liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar këdo dhe çdo çështje mbeten të garantuara, ndërsa pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv nuk cenohet, por përforcohet.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment tensioni të lartë politik, ndërsa opozita kërkon mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK dhe për t’i hapur rrugë procedurave të mëtejshme ndaj Ballukut.
