Australia është tronditur nga një sulm i rëndë terrorist në plazhin Bondi Beach, në shtetin e New South Wales, ku humbën jetën 16 persona, mes tyre edhe një fëmijë. Autoritetet konfirmuan se 15 viktima ishin civilë të pafajshëm, ndërsa viktima e 16-të është një nga autorët e sulmit.
Ngjarja ndodhi gjatë një aktiviteti publik për shënimin e fillimit të festës hebraike Hanukkah. Policia e New South Wales e ka cilësuar zyrtarisht ngjarjen si akt terrorist.
Sipas hetimeve paraprake, autorët e sulmit ishin babë e bir. Bëhet fjalë për një 50-vjeçar dhe djalin e tij 24-vjeçar. 50-vjeçari u qëllua për vdekje nga efektivët e policisë gjatë ndërhyrjes, ndërsa i biri mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Komisioneri i Policisë së New South Wales, Mel Lanyon, deklaroi se hetimet kanë përparuar ndjeshëm dhe se autoritetet nuk po kërkojnë më persona të tjerë të përfshirë në sulm. Ai bëri të ditur se autori 50-vjeçar ishte posedues i licencuar i armëve të zjarrit dhe kishte të regjistruara në emrin e tij gjashtë armë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit.
Gjatë natës, policia ka kryer kontrolle me urdhër gjykate në dy zona të Sydney-t, Bonnyrigg dhe Campsie, si pjesë e hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe mënyrën se si armët janë përdorur.
Kryeministri i New South Wales, Chris Minns, konfirmoi se moshat e viktimave variojnë nga 10 deri në 87 vjeç, ndërsa 42 persona të tjerë vijojnë të marrin trajtim mjekësor në spitale, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Dy efektivë policie mbeten gjithashtu të shtruar për shkak të plagëve të marra gjatë ndërhyrjes.
Autoritetet kanë njoftuar se prania e forcave të rendit do të jetë e shtuar pranë vendeve të kultit dhe aktiviteteve publike, për të garantuar sigurinë. Ndërkohë, u është bërë thirrje qytetarëve për qetësi, solidaritet dhe unitet në këto momente të vështira për vendin.
