Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka këshilluar emisarin e Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen, që të mos përpiqet të negocionte marrëveshje të reja mes Kosovës dhe Serbisë, por të përqendrohet në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
Në një diskutim në “Atlantic Council”, Hovenier nënvizoi se Kosova ka bërë një angazhim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që nga viti 2013, dhe ky angazhim vazhdon të jetë në fuqi, duke u ripërsëritur edhe në Marrëveshjen Bazike të vitit 2023 dhe Aneksin e saj të Zbatimit.
Ai theksoi se një qasje më e mirë për të ecur përpara do të ishte të mos negociohet për angazhime të reja, pasi ajo që u arrit në vitin 2023 është një paketë e plotë dhe mbresëlënëse, por që ende kërkon zbatim. Hovenier kritikoi si Kosovën, ashtu edhe Serbinë, për mungesën e seriozitetit në përmbushjen e detyrimeve të tyre dhe theksoi se të dyja palët do të përfitonin shumë nga zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura.
