Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme se si Maliq Zotkaj, djali i kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj brenda 4 muajsh ka fituar dy tendera pa konkurrencë dhe me fond limit 100 % nga koleget e babait të tij.
Tenderat i janë dhënë kompanisë “G&M Construstion 07”, e cila është në pronësi të Maliq Zotkaj dhe Oligert Dyrmishi.
Një prej tendereva është ai i dhënë nga Bashkia e Përmetit e drejtuar nga Alma Hoxha, për rehabilitimin e rezervuarit Qilarisht. Tenderi u finalizua me një vlerë prej 24,291,841.78 lekë të reja pa TVSH, e cila përkon me gati 100% të fondit limit, që ishte 24,805,385.84 lekë të reja.
Sipas PD-së, në procedurat e këtij tenderi, dy kompani me oferta më të ulëta janë skualifikuar paraprakisht nga gara, duke lënë të vetëm në garë kompaninë e djalit të Adriatik Zotkës, kryetarit të Bashkisë Poliçan.
Ndërsa tenderi tjetër i është dhënë nga Bashkia e Dimalit, e drejtuar nga Juliana Memaj, që ka të bëjë me vazhdimin e shtresës së asfaltit në rrugën Drenovicë, përsëri me ofertë gati 100% të fondit limit dhe përsëri në mungesë të plotë të konkurrencë, pra me një garues të vetëm.
