Lejuan punonjësit e bashkisë t’i bënin presion drejtësisë në zyrat e SPAK gjatë gjyqit për Veliajn, pritet të hapet…

Data

Gjykata e Posaçme dhe SPAK i kërkuan shpjegime Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, lidhur me mos-ushtrimin e detyrës nga ana e policisë për të garantuar sigurinë dhe rendin në perimetrin e jashtëm të këtyre institucioneve të drejtësisë, megjithëse një gjë e tillë u është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë. Gjykata e Posaçme e ka quajtur të paprecedentë sjelljen e Policisë së Shtetit, në rastin e protestës së organizuar nga mbështetësit e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, para godinës së saj, teksa brenda zhvillohej seanca për vlerësimin e masave të sigurisë. Neglizhenca e Policisë ka sjellë sipas dy institucioneve vështirësi në lëvizjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe pengimin e tyre që të dalin nga ambientet e gjykatës, ndërkohë që protestuesit kanë goditur makinat si dhe kanë sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.

“Respektimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë është thelbësor për funksionimin e duhur të demokracisë dhe për garantimin e një procesi të drejtë ligjor për të gjithë qytetarët. Çdo tentativë për të ndikuar apo cenuar punën e organeve të drejtësisë bie ndesh me frymën dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me detyrimet ndërkombëtare që vendi ynë ka marrë përsipër, në kuadër të sundimit të ligjit. Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ. Nëpërmjet shkresës më sipër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë.

Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025. Aktualisht, gjykata është në pritje të kthimit të përgjigjes nga ana e autoriteteve kompetente, me qëllim ndjekjen e rrugëve të tjera institucionale sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore,” thotë gjykata.

Reagimet e opozitës

Përfaqësuesit e opozitës i dolën në mbrojtje Gjykatës së Posaçme dhe SPAK të premten dhe paralajmëruan kallëzime penale ndaj kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kreut të Policisë së Shtetit për masat e munguara gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurisë për Veliajn. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi gjatë një konference për shtyp se kjo situatë tregonte shkallën e politizimin dhe kriminalizimit të drejtuesve të Policisë së Shtetit. “Protestë e organizuar, e lajmëruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale. Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar,” tha Berisha. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cilësoi situatën si një grusht shteti.

“Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit sapo zbuloi një sulm të organizuar nga qeveria kundër drejtësisë: Gjyqtarët dhe prokurorët të bllokuar brenda gjykatës! Protestuesit penguan hyrjen, sulmuan stafin gjyqësor! Policia nuk bëri asgjë me urdhër të heshtur për të mos vepruar!”, shkroi Tabaku në rrjetin social Facebook, duke e cilësuar tubimin si një përpjekje të koordinuar të qeverisë për të mbrojtur korrupsionin dhe për të shpëtuar Erion Veliajn dhe të korruptuarit e tjerë nëpërmjet intimidimit dhe sulmit ndaj drejtësisë, tanimë fizikisht.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related