Reuters: Samiti i NATO-s në Shqipëri vihet në pikëpyetje mes kundërshtimeve nga administrata Trump

Data

Planet për zhvillimin e samitit të NATO-s në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe disa vende anëtare të Aleancës kanë shprehur rezerva, kryesisht për nivelin e shpenzimeve të mbrojtjes të Shqipërisë. Lajmi është bërë i ditur nga Reuters, duke cituar një diplomat të NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me diskutimet.

Sipas burimeve, draft-deklarata e samitit të NATO-s që pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Ankara nuk përmend më Shqipërinë si vendin pritës të samitit pasues, ndryshe nga deklaratat e mëparshme, ku ky plan ishte parashikuar.

Ky zhvillim vjen në një moment kur vendet evropiane të NATO-s po përpiqen të bindin administratën Trump se kanë bërë progres në rritjen e buxheteve të mbrojtjes, duke shmangur përplasjet politike mbi këtë çështje.

Një nga burimet e Reuters tha se shqetësimi lidhet me faktin se niveli aktual i investimeve të Shqipërisë në mbrojtje mund të shkaktojë kritika nga presidenti Trump nëse samiti zhvillohet në Tiranë, duke krijuar jehonë negative mediatike.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i qeverisë shqiptare deklaroi për Reuters se draftet janë ende në fazë negociatash dhe nuk përbëjnë vendime përfundimtare.

“Draftet janë drafte, jo vendime”, u shpreh ai.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi raportimet, ndërsa NATO deklaroi se nuk kishte një reagim të menjëhershëm.

Shpenzimet për mbrojtjen në fokus

Në samitin e NATO-s të zhvilluar vitin e kaluar në Hagë, aleatët ranë dakord të synojnë rritjen graduale të shpenzimeve për mbrojtjen deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku 3.5% do të dedikohen për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për fusha të lidhura me sigurinë, si mbrojtja kibernetike dhe infrastruktura strategjike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Shqipëria, së bashku me Çekinë dhe Slloveninë, ishte ndër vendet që ende nuk kishin arritur objektivin minimal prej 2% të PBB-së, por kishte marrë angazhimin për ta tejkaluar këtë nivel gjatë vitit.

Qeveria shqiptare i tha Reuters se po përgatit masat fiskale që do ta çojnë buxhetin e mbrojtjes në 2.6% të PBB-së gjatë vitit 2026, sipas metodologjisë së NATO-s. Nga kjo shumë, 2.2% do të jetë për shpenzimet bazë të mbrojtjes, ndërsa 0.4% për investime të tjera në siguri.

Megjithëse vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, një diplomat evropian i cituar nga Reuters shprehu bindjen se Shqipëria ka ende gjasa të mbetet vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s, nëse përmbush angazhimet për rritjen e investimeve në mbrojtje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related