Gazetari investigativ Artan Hoxha ka ngritur dyshime serioze mbi arsyet e transferimit të paraburgosurit Altin Ndoci drejt spitalit civil të Durrësit dhe mbi shkeljet flagrante të protokolleve të sigurisë që çuan në arratisjen e tij.
Në një lidhje televizive, Hoxha theksoi se pamjet e publikuara pas ngjarjes tregojnë qartë se Ndoci nuk ishte aspak në gjendje të rënduar shëndetësore. Përkundrazi, sipas tij, ai ndodhej në formë të shkëlqyer fizike dhe vraponte “si sprinter” në momentin e arratisjes, çka rrëzon pretendimet për probleme serioze shëndetësore.
“Ajo që pamë në pamje dëshmonte qartë që ky person jo vetëm nuk ishte i sëmurë, por ishte në formë fizike perfekte. Vraponte si atlet, si sprinter. Hapi i tij, mënyra si largohej, tregojnë se ishte i përgatitur për arratisje,” u shpreh Hoxha.
Sipas gazetarit, fakti që një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i hetuar për ngjarje të rënda kriminale mbahej në burgun e Durrësit është në vetvete një problem i madh. Ai e cilësoi këtë institucion si një nga burgjet me nivelin më të ulët të sigurisë në vend, i njohur për lehtësirat që ofron për të paraburgosurit.
“Një personazh i këtij niveli nuk duhet të ishte kurrë në burgun e Durrësit. Ky burg ka namin e një institucioni me lehtësira të shumta. Aty zakonisht mbahen politikanë, ish-funksionarë të lartë dhe persona që nuk paraqesin rrezikshmëri të tillë,” tha Hoxha.
Ai shtoi se pamjet e arratisjes e bëjnë ngjarjen edhe më shqetësuese, pasi tregojnë një situatë pothuajse qesharake nga ana e sigurisë, por dramatike për pasojat që sjell për rendin publik.
Sipas Hoxhës, sistemi i paraburgimit ka dështuar në disa nivele: që nga vendimi për ta mbajtur Ndocin në një burg të papërshtatshëm, te miratimi i transferimit në një spital civil dhe deri te mënyra e shoqërimit, e cila nuk i është përmbajtur asnjë standardi për persona me këtë profil kriminal.
“Ky nuk është faj vetëm i gardianëve apo policëve që ishin në shërbim atë ditë. Përgjegjësia është shumë më lart. Kush e miratoi transferimin? Kush vendosi ambientin në spital? Kush autorizoi një shoqërim kaq të dobët për një person kaq të rrezikshëm?” ngriti pyetjet gazetari.
Ai theksoi se për persona të tillë ekzistojnë protokolle të qarta, që parashikojnë shoqërim nga grupe të specializuara, me disa automjete dhe masa maksimale sigurie, gjë që në këtë rast nuk është respektuar.
Sipas Artan Hoxhës, arratisja e Altin Ndocit nuk është një incident i rastësishëm, por pasojë e një sistemi të kalbur, ku vendimmarrja, kontrolli dhe përgjegjësia institucionale kanë dështuar plotësisht.
