Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka hyrë në një fazë kritike dhe pritet që ditën e martë, më 23 shtator, të shpërthejë zyrtarisht me një vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Pas presionit të hapur të Ramës më 11 shtator, këshilltarët socialistë janë vënë në lëvizje për të firmosur kërkesën e shkarkimit të Veliajt, duke aktivizuar nenin 62 të qeverisjes vendore, që lidhet me mosparaqitjen në detyrë për mbi tre muaj. Nga ana tjetër, Veliaj nuk dorëzohet dhe përgatitet për një betejë të dyfishtë, si në frontin ligjor, ashtu edhe në atë mediatik.
Socialistët në rresht para Ramës
Të gjithë këshilltarët socialistë të pranishëm në mbledhjen e djeshme kanë hedhur firmën mbi kërkesën për shkarkimin e Veliajt. Mbledhja, e cila u drejtua nga kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino, zgjati rreth një orë e gjysmë. Teksti i kërkesës u formulua dhe u nënshkrua duke përdorur si argument kryesor mungesën e kryebashkiakut për një periudhë më të gjatë se tre muaj. Burimet thonë se rezistencë ka pasur nga këshilltari Aldo Mërkoçi, ish-kreu i lëvizjes “MJAFT” dhe një figurë e afërt me Arbjan Maznikun. Ai ka kërkuar që në dokument të pasqyrohet gjithashtu kontributi dhe puna e mirë që Veliaj i ka bërë qytetit të Tiranës. Në fund, edhe Mërkoçi ka firmosur, pasi kërkesa e tij u mor parasysh. Ky hap i këshilltarëve socialistë është një pasojë direkte e qëndrimit të Edi Ramës. Në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri u kërkoi hapur anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak që të procedonin me shkarkimin e Veliajt. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet nën arrest me burg që prej datës 10 shkurt, pas një vendimi të GJKKO për akuza të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
