Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të forta për sigurinë ushqimore në Shqipëri, duke theksuar se vendi do të zbatojë të njëjtat standarde si Bashkimi Europian.
Gjatë takimit me grupin parlamentar dhe drejtuesit e komisioneve, Rama u shpreh se produktet ushqimore që nuk përmbushin kriteret e sigurisë do të bllokohen, pa asnjë tolerancë. Sipas tij, kjo është një nga kushtet themelore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Edhe në Shqipëri do të funksionojnë të njëjtat kritere. Ushqimet mund të bllokohen nëse nuk përmbushin standardet e sigurisë. Nuk do të falet askush dhe asgjë,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se, në skenarin më pesimist, vendi mund të detyrohet të importojë gjithçka që konsumon, nëse prodhimi vendas nuk garanton siguri ushqimore. Për këtë arsye, kryeministri kërkoi një angazhim maksimal nga institucionet dhe përgjegjësi të plotë nga çdo subjekt që operon në këtë sektor.
Rama theksoi se Shqipëria ka përpara një periudhë vendimtare, duke nënvizuar se vitet e ardhshme janë kyçe për procesin e integrimit europian dhe se puna që duhet bërë është shumë e madhe.
