Pas rastit të rëndë në Durrës, ku tre fëmijë të mitur u gjetën të mbyllur vetëm në banesë, pa ushqim dhe pa praninë e prindërve, për herë të parë ka reaguar publikisht babai i tyre.
Në një bisedë të gjatë televizive, ai ka rrëfyer se divorci me ish-bashkëshorten ka ardhur, sipas tij, si pasojë e tradhtisë nga ana e saj. Babai ka hedhur akuza të rënda, duke pretenduar se ish-bashkëshortja ka pasur sjellje të papërshtatshme, të cilat – sipas tij – janë parë edhe nga fëmijët, dhe ka deklaruar se disponon prova filmike.
Ai mohoi të ketë qenë shkak i ndarjes për arsye si alkooli apo kumari dhe tha se denoncimi ndaj tij ka ardhur pas një konflikti të lidhur me ish-partnerin e gruas, të cilin ai e akuzon për dhunë ndaj njërit prej fëmijëve.
“Unë nuk jam as alkolist, as kumarxhi. Divorci erdhi sepse e kam kapur në tradhti. Kam prova dhe video. Ajo më denoncoi në polici pas një konflikti, por unë kam kërkuar vetëm të mbroj fëmijët e mi”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, nëna e fëmijëve ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar më herët se nuk do të heqë dorë nga kujdestaria, ndërsa ish-vjehrra e saj ka këmbëngulur se fëmijët, kur kanë qenë nën kujdesin e saj, nuk kanë qenë kurrë në gjendje të tillë.
Rasti mbetet në shqyrtim nga autoritetet përkatëse, ndërsa institucionet sociale dhe drejtësia pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe të vendosin për interesin më të mirë të fëmijëve.
