Partia Demokratike, ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me lajmin që kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një tur takimesh me Diasporën gjatë muajit Maj në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhme, duke e konsideruar veçse një propagandë. Zëdhënësja e selisë blu, Mirela Karabina shprehet se qëllimisht kreu i qeverisë, ka penguar votimin e shqiptarëve të diasporës pasi ka frikë, e si të tillë po pengon dhe Reformën Zgjedhore. Ajo thotë se turi i takimeve të Ramës me shqiptarët e diasporës është vetëm një shfaqe e dalë boje e mbajtur në kurriz të shqiptarëve, të cilët janë larguar nga vendi për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit galopante në vend. “Edi Rama prej 11 vitesh ka penguar qëllimisht votimin e shqiptarëve të diasporës. Ai ka frikë nga vota e pakontrolluar e shqiptarëve nëpër botë, ashtu sikurse dhe ajo e shqiptarëve brenda vendit, ndaj pengon dhe Reformën Zgjedhore për lista të hapura. Turi i takimeve të Edi Ramës me shqiptarët e diasporës është një shfaqe e radhës, një propagandë e përsëritur kjo e dalë boje dhe në kurriz të qytetarëve! Shqiptarët nuk janë larguar nga vendi si pasojë e luftërave apo fatkeqësive natyrore, por për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit galopant dhe mungesës së shpresës”, tha ajo. Gjatë deklaratës së saj Karabina nënvizon se Edi Rama nuk mund të zhvillojë lidhje të forta me diasporën për shkak se nuk ka tani më as moralin e as fuqinë politike ku zyrtarët më të lartë paraqiten çdo ditë në dyert e SPAK. “Lidhjen e diasporës me vendlindjen nuk e bën dot më Edi Rama sepse nuk ka as moralin dhe as fuqinë politike! Bashkëpunëtorët e tij më të afërt, zëvendëskryeministër në arrati, ish ministra e ministra dhe zyrtarë të lartë paraqiten çdo ditë në dyert e drejtësisë SPAK për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit. Edi Rama ka frikë nga vota e shqiptarëve, sidomos të diasporës, ndaj dështoi Komisionin e Reformës Zgjedhore për lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, votë të diasporës dhe votim elektronik”, përfundoi Karabina.
PD sulmon Ramën pas lajmit për turin me Diasporën: Shfaqja e radhës, ka penguar votën e emigrantëve
Data
