Një zjarr i madh shpërtheu në një ndërtesë pranë Stacionit Qendror të Glasgout në Skoci, duke shkaktuar shembjen e pjesshme të saj dhe ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit hekurudhor në një nga nyjet më të rëndësishme të transportit në vend.
Sipas raportimeve, zjarri nisi pasditen e së dielës në një dyqan të cigareve elektronike në Union Street, pranë hyrjes së stacionit.
Flakët u përhapën me shpejtësi në ndërtesën viktoriane dhe disa orë më vonë një pjesë e saj u shemb për shkak të dëmeve të shkaktuara nga zjarri.
Autoritetet njoftuan se të gjitha shërbimet e trenave në Stacionin Qendror të Glasgout janë anuluar të paktën deri të hënën në mbrëmje, ndërsa specialistët po vlerësojnë dëmet dhe sigurinë e infrastrukturës.
Më shumë se 60 zjarrfikës u angazhuan për të vënë nën kontroll flakët, të cilat vazhduan të digjnin edhe në orët e para të mëngjesit, rreth 13 orë pas raportimit të incidentit.
Sipas Network Rail, deri tani nuk janë konstatuar dëme serioze në vetë stacionin, por kontrollet do të vazhdojnë gjatë ditës.
Gjatë zjarrit u raportua edhe shembja e kupolës në cep të ndërtesës, ndërsa një kafene dhe disa biznese, përfshirë një sallon flokësh, u shkatërruan plotësisht.
Për arsye sigurie, hoteli Voco Grand Central, i cili ndodhet brenda kompleksit të stacionit, u evakuua dhe të gjithë personat që ndodheshin aty u transferuan në një hotel tjetër në qytet.
