Në kushtet e motit ekstrem që ka përfshirë vendin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shprehur vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për punonjësit e Policisë që kanë qenë në terren gjatë gjithë ditës dhe vijojnë ende shërbimin, në ndihmë të qytetarëve të prekur nga përmbytjet dhe situatat e rrezikshme.
Sipas Policisë së Shtetit, efektivët në Durrës dhe në shumë zona të tjera të Shqipërisë kanë treguar përkushtim, profesionalizëm dhe humanizëm, duke asistuar drejtues mjetesh, familje të rrezikuara dhe banorë të bllokuar nga uji, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.
Ilir Proda thekson se angazhimi i punonjësve të Policisë ka qenë shembullor, duke dëshmuar përgjegjshmëri dhe sakrificë në shërbim të qytetarëve. Ai ka falënderuar gjithashtu qytetarët për dhjetëra mesazhe mirënjohjeje dhe pamje të dërguara, që tregojnë punën e palodhur të efektivëve në terren.
“Përkushtim, sakrificë dhe respekt maksimal për punonjësit e Policisë që, pa u ndalur, kanë qenë dhe janë pranë qytetarëve në çdo moment. Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, 24 orë në 7 ditë të javës”, theksohet në reagimin zyrtar.
Ndërkohë, shërbimet policore vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në zonat problematike, për të garantuar sigurinë dhe ndihmën e nevojshme për qytetarët e prekur nga moti i keq.
