Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj mazhorancës gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit.
Me tone ironike, Noka deklaroi se Parlamenti është degraduar dhe se sipas tij mazhoranca e ka “zegjinizuar” institucionin më të lartë përfaqësues në vend.
Ai u shpreh se mënyra se si po drejtohet seanca dhe debati politik në sallë është turp për qytetarët shqiptarë.
“Ky Kuvend është për turp e faqe të zezë. E keni poshtëruar në atë shkallë sa qytetarëve u vjen turp kur ju shohin. E keni zegjinizuar këtë Parlament”, tha Noka.
Deputeti demokrat ironizoi gjithashtu disa deputetë socialistë, duke thënë se sipas tij ata po qëndrojnë të nënshtruar përballë vendimeve të mazhorancës.
Sipas Nokës, prej katër muajsh qytetarët presin që Kuvendi të japë një shembull për luftën kundër pandëshkueshmërisë, ndërsa sipas tij çështja e Belinda Ballukut është zvarritur qëllimisht.
Debati në Kuvend vijon të jetë i tensionuar, ndërsa përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës janë përqendruar kryesisht te kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
