Një 20-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në qytetin e Uppsalës, në Suedi. Viktima është identifikuar si Gent (Milot) Maksutaj, me origjinë nga fshati Banjë i Istogut.
Sipas raportimeve të mediave suedeze, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për një atentat të planifikuar. Sipas të njëjtave burime, autori i dyshuar i është afruar viktimës me biçikletë dhe ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Pas rënies së 20-vjeçarit në tokë, ai dyshohet se është afruar sërish dhe ka qëlluar edhe një herë.
Pas ngjarjes, i dyshuari raportohet se është larguar me tren në drejtim të Stokholmit, ku më pas është lokalizuar dhe arrestuar nga policia suedeze.
Prokuroria suedeze ka konfirmuar ndalimin e një personi nën moshën 18 vjeç, i dyshuar për përfshirje në ngjarje. Megjithatë, hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që në vrasje të kenë marrë pjesë edhe persona të tjerë.
Krimi ndodhi mbrëmjen e së dielës në zonën Kvarngärdet të Uppsalës. Policia ndërhyri në vendngjarje pas një njoftimi për të shtëna me armë zjarri rreth orës 21:00.
Autoritetet suedeze vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivin e ngjarjes. Deri në këtë fazë, nuk është konfirmuar nëse vrasja ka lidhje me aktivitetin e grupeve të krimit të organizuar.
