“Njerëzimi nuk mundet”/ Kryeministri spanjoll i përgjigjet ashpër Elon Musk për emigrantët

Data

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i është përgjigjur publikisht miliarderit amerikan Elon Musk, pas kritikave të këtij të fundit ndaj vendimit të qeverisë spanjolle për t’u dhënë dokumente ligjore qindra mijëra emigrantëve të parregullt.

Reagimi erdhi në platformën X, ku Musk kishte komentuar me fjalën “Uau” një postim kritik ndaj planit të Madridit për legalizimin e rreth 500 mijë emigrantëve. Në të njëjtin postim, vendimi ishte cilësuar si një manovër elektorale që synon krijimin e një elektorati të ri në favor të së majtës.

“Marsi mund të presë, njerëzimi nuk mundet”, iu përgjigj Sanchez Musk, duke ironizuar ambicien e tij për kolonizimin e planetit Mars.

Qeveria spanjolle argumenton se kjo nismë ka kryesisht motivim ekonomik. Sipas planit të shpallur nga autoritetet, emigrantët e parregullt që kanë jetuar në Spanjë për të paktën pesë muaj dhe që kanë mbërritur para 31 dhjetorit 2025 do të pajisen me dokumente ligjore dhe do të kenë të drejtë të punojnë në çdo sektor dhe në çdo rajon të vendit.

Sanchez thekson se masa synon të mbështesë rritjen ekonomike të Spanjës, e cila në vitin 2025 shënoi rritje prej 2.8 për qind. Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagime të forta politike. Kreu i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijó, e cilësoi politikën si “absurde”, ndërsa lideri i Vox, Santiago Abascal, akuzoi qeverinë se po dëmton interesat e qytetarëve spanjollë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related