KLGJ pritet të shprehet për gjyqtaren Gjoka, Kalaja: Dënim në Greqi dhe dy dëbime të fshehura

Data

Opozita ka ngritur akuza të rënda ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke pretenduar se ajo ka fshehur një dënim penal në Greqi si dhe dy urdhra dëbimi, çka sipas saj e bën të papajtueshme me ushtrimin e funksionit të gjyqtares.

Në një deklaratë për mediat nga ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, avokatja Adriana Kalaja tha se çështja e Gjokës është futur në rendin e ditës në mënyrë të beftë dhe antiligjore, duke e cilësuar këtë veprim si rezultat të një urdhri politik.

Sipas Kalasë, ndaj gjyqtares ekzistojnë dy vendime dëbimi të marra në Greqi në vitet 2002 dhe 2003, si dhe një dënim penal, të cilat nuk janë deklaruar në formularët zyrtarë të pasurisë dhe figurës. Ajo theksoi se mosdeklarimi është kryer në mënyrë të përsëritur dhe përbën vepër penale të vazhdueshme.

Kalaja u shpreh se ligji shqiptar e ndalon qartë ushtrimin e detyrës së magjistratit nga persona të dënuar penalisht dhe hodhi poshtë pretendimet se çështja në Greqi ishte amnistuar. Sipas saj, bëhet fjalë për një procedurë administrative që nuk e heq detyrimin për deklarim.

Opozita shprehu mosbesim ndaj KLGJ-së, duke deklaruar se vendimi që pritet do të jetë një provë serioze për integritetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë, ndërsa çështja e gjyqtares Gjoka cilësohet si një nga rastet më të rënda të mos përputhshmërisë me ligjin në sistemin gjyqësor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related