Partia Demokratike Europiane (EDP) ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë shqiptare për të financuar me rreth 4 milionë euro koncertin e reperit amerikan Kanye West, duke kritikuar përdorimin e fondeve publike për këtë aktivitet.
Në një deklaratë publike, EDP shprehet se, ndërsa prej javësh qytetarët shqiptarë protestojnë duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe forcimin e shtetit të së drejtës, qeveria po planifikon të shpenzojë miliona euro për koncertin e një artisti që ka qenë në qendër të polemikave për deklaratat e tij antisemite dhe raciste.
“Edi Rama thuhet se është gati të shpenzojë 4 milionë euro nga paratë publike për të shpëtuar koncertin e Kanye West, një prej artistëve më kontroversë në botë”, thuhet në reagimin e EDP.
Sipas Partisë Demokratike Europiane, prioritet i qeverisë duhet të jenë shqetësimet e qytetarëve dhe jo organizimi i spektakleve.
“Kryeministri Rama duhet të shpenzojë më pak kohë duke shpëtuar koncertin e Kanye West dhe më shumë kohë duke dëgjuar qytetarët e vendit të tij”, vijon deklarata.
Në përfundim, EDP thekson se Shqipëria meriton një qeverisje të bazuar te vlerat demokratike dhe përgjegjshmëria publike.
Deklarata e plotë e EDP:
“Ndërsa prej javësh shqiptarët kanë mbushur rrugët duke kërkuar transparencë, llogaridhënie dhe shtet ligjor, Edi Rama thuhet se është gati të shpenzojë 4 milionë euro nga paratë publike për të shpëtuar koncertin e Kanye West, një prej artistëve më kontroversë në botë, i njohur për deklaratat e tij antisemite dhe raciste.
Kryeministri Rama duhet të shpenzojë më pak kohë duke shpëtuar koncertin e Kanye West dhe më shumë kohë duke dëgjuar qytetarët e vendit të tij.
Shqipëria meriton më shumë: demokraci përpara spektaklit, llogaridhënie përpara projekteve të kotësisë dhe një të ardhme vërtet europiane.”
