Bizneset dhe profesionistët e lirë në Shqipëri po përballen me vështirësi serioze në ushtrimin e aktivitetit të tyre ekonomik për shkak të problemeve të zgjatura në funksionimin e platformës së fiskalizimit “Self-Care”, e cila administrohet përmes e-Albania.
Që prej datës 20 janar, një numër i madh subjektesh ekonomike raportojnë pamundësi për aksesim të plotë në platformë, çka ka sjellë bllokim të proceseve thelbësore fiskale dhe administrative. Ekspertët e ekonomisë dhe ligjit paralajmërojnë se ky mosfunksionim i shërbimeve të teknologjisë së informacionit po krijon pasoja të rënda financiare dhe ligjore për bizneset.
Audituesi ligjor i pavarur Julian Saraçi shprehet se situata është shqetësuese dhe ka sjellë paralizim të aktivitetit ekonomik për shumë subjekte. Sipas tij, për shkak të mosfunksionimit të platformës, bizneset ndodhen në pamundësi objektive për të përmbushur detyrimet ligjore, përfshirë raportimet pranë institucioneve rregullatore, lëshimin dhe pranimin e faturave, fiskalizimin e importeve dhe procedura të tjera të domosdoshme për vijimësinë e aktivitetit.
Platforma “Self-Care” shërben si porta kryesore digjitale e komunikimit mes bizneseve dhe administratës tatimore, duke zëvendësuar sportelet fizike dhe duke u kthyer në një mjet bazë të funksionimit administrativ të çdo subjekti ekonomik. Për këtë arsye, çdo problem teknik në këtë sistem ka ndikim të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e ekonomisë.
Edhe drejtoresha ekzekutive e Aleancës së Profesionistëve të Lirë, Adela Kanani, thekson se kur platforma nuk funksionon normalisht, bizneset nuk mund të raportojnë, të paguajnë apo të dokumentojnë veprimtarinë e tyre në kohë. Sipas saj, kjo krijon stres operacional, pengon planifikimin financiar dhe paralizon përkohësisht aktivitetin ekonomik.
“Në këtë kuptim, ‘Self-Care’ nuk është thjesht një shërbim online, por një infrastrukturë kritike për funksionimin normal të ekonomisë dhe për ndërtimin e një klime të shëndetshme biznesi,” shprehet Kanani.
Ekspertët paralajmërojnë se pasojat e bllokimit nuk janë vetëm ekonomike, por edhe ligjore. Profesori i shkencave ekonomike, Sotiraq Dhamo, sqaron se mungesa e aksesit në platformë prek si shitësit, ashtu edhe blerësit. Sipas tij, për shitësit “Self-Care” është e domosdoshme për lëshimin e faturave, ndërsa për blerësit shërben për pranimin, deklarimin e faturave dhe deklaratave të importeve.
Julian Saraçi thekson gjithashtu se mungesa e aksesit në platformë ekspozon bizneset ndaj rrezikut të penaliteteve ligjore, ndaj kërkon ndërhyrje të menjëhershme institucionale. Sipas tij, është e domosdoshme që autoritetet përgjegjëse të dalin me qëndrime publike të qarta për mosaplikimin e penaliteteve gjatë periudhës së mosfunksionimit të sistemit.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në një reagim zyrtar, ka deklaruar se problematika e aksesimit të Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur dhe se sistemi funksionon normalisht që prej pasdites së datës 28 janar.
Sipas këtij njoftimi, tatimpaguesit që përdorin software për lëshimin e faturave duhet të vijojnë normalisht me faturimin edhe në rastet kur faturat nuk pajisen menjëherë me kodin unik, duke i fiskalizuar ato sapo shërbimi të rikthehet plotësisht. Ndërkohë, për tatimpaguesit që nuk përdorin software, por platformën qendrore, administrata tatimore sugjeron pajisjen me bllokun e veçantë të faturave përmes drejtorive rajonale.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave zyrtare, bizneset dhe profesionistët e lirë vijojnë të kërkojnë qartësi, garanci ligjore dhe funksionim të qëndrueshëm të një platforme që tashmë konsiderohet jetike për ekonominë shqiptare.
