Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat nga selia blu, e cilësoi protestën e 20 shkurtit si një “kryengritje paqësore”, duke thënë se ajo ka pasur jehonë ndërkombëtare.
Sipas tij, pas asaj proteste, kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku janë paraqitur “më të nxirë se kurrë” në mediat botërore. Berisha deklaroi se ka pasur, sipas tij, mirëkuptim dhe mbështetje ndërkombëtare për protestën e opozitës.
Ai përsëriti kërkesën për largimin e Ramës dhe Ballukut nga detyra, duke akuzuar kryeministrin se po zhvillon negociata të fshehta për të shpëtuar veten dhe familjen e tij.
“Nëse arrihet një marrëveshje e tillë, do të ishte kapitullimi përfundimtar i drejtësisë”, u shpreh Berisha.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur po shqyrtohet kërkesa për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe situata politike në vend mbetet e tensionuar.
