Kriza energjetike nga lufta në Lindjen e Mesme/ Australia investon 7.2 miliardë dollarë për rezerva karburanti dhe siguri energjetike

Data

Qeveria e Australia ka njoftuar një paketë masive prej 7.2 miliardë dollarësh për të garantuar sigurinë energjetike të vendit, mes tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe rritjes së çmimeve globale të karburanteve.

Kryeministri Anthony Albanese deklaroi se plani synon të mbrojë sovranitetin energjetik të vendit dhe të sigurojë furnizime të qëndrueshme me karburant gjatë krizave ndërkombëtare.

Sipas paketës së re, qeveria australiane do të krijojë një rezervë strategjike karburanti në pronësi shtetërore prej rreth një miliard litrash. Kjo do të rrisë rezervat kombëtare të naftës dhe karburantit për avionë në rreth 50 ditë furnizim emergjent.

“Ky investim synon t’u japë australianëve më shumë besim në mbrojtjen e sovranitetit tonë energjetik, jo vetëm gjatë kësaj krize, por edhe në të ardhmen”, u shpreh Albanese gjatë deklaratës për mediat.

Vendimi vjen në një moment kur tregjet globale të energjisë po përballen me luhatje të forta për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tensioneve që lidhen me Iran. Australia ka regjistruar ndër rritjet më të larta të çmimeve të benzinës dhe naftës që prej nisjes së përshkallëzimit të konfliktit.

Qeveria australiane theksoi se rezervat strategjike do të ndihmojnë në shmangien e krizave të furnizimit dhe në mbrojtjen e ekonomisë nga goditjet e tregjeve ndërkombëtare të energjisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related