Bashkimi Evropian konfirmoi në fundjavë me qëndrimin e saj të gjitha faktet që ka publikuar gazeta për personazhet, të cilët me firmën e kryeministrit Edi Rama kanë zaptuar dhe grabitur pasuritë publike. Në një takim në Tiranë me gazetarë europianë që mbulojnë çështjet e BE-së, ambasadori Silvio Gonzato, tha më hapur se kurrë se procesi që ka çuar në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë në Shqipëri është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit.
“Kuadri ligjor i investimeve në Shqipëri duhet të përafrohet me standardet e BE -së, duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, gjithashtu edhe për investitorët e huaj. I ashtuquajturi “ligj i investimeve strategjike” i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit”, tha Gonzato.
Pse BE ngriti alarmin?
Janë të paktën 50 kompani dhe qindra përfitues të cilët janë shpallur investitorë strategjikë nga viti 2016, por në asnjë rast nuk ka pasur investim strategjik. Ligji kontravers i miratuar me debate në vitin 2015, i lejon qeverisë, përmes një komiteti që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas. Ligji është amenduar disa herë por në asnjë rast nuk ka sjellë investitorë të huaj dhe me potencial. Projektet e miratuar janë kryesisht për oligarkë që kanë ndërtuar vila dhe resorte, ndërsa në shumicën e rasteve nuk ka ende asnjë investim. Edhe, raportet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit kanë evidentuar se korrupsioni sistemik nuk ka lejuar ardhjen e investitorëve të huaj.
Skandali
Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar në disa raste projekte në kushte konflikti interesi apo të biznesmenëve të panjohur dhe të lidhur me krimin, siç ishte rasti i fundit me Pëllumb Gjokën i arrestuar për tentativa vrasjesh. Një projekt i miratuar në kushte flagrance konflikti interesi ishte për familjarët e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ku bashkëshorti dhe kunata e saj, morën statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort në Dhërmi, dosje nën hetim nga SPAK.
Samir Mane, përfituesi më i madh i pronave publike me 1 euro
Përfituesi më i madh si investitor strategjik është oligarku Samir Mane. Kompanitë e tij kanë marrë disa statuse investitori strategjik. Janë disa vendime që janë për kompanitë e Manes, si Green Coast, Green Coast 1 dhe 2, si dhe dy projekte në Gjirin e Lalzit, Neë Bord dhe ValaMare. Në të gjitha vendimet thuhet se pronësia e tokës është private dhe publike, si dhe mijëra metra katrorë plazh në përdorim. Por vendimet nuk saktësojnë se sa tokë publike është dhënë në këto raste, kjo pasi disa projekte janë në zhvillim e sipër. Vendimi më i fundit i Ramës për Manen nga përfitimi i këtij ligji është në mars të vitit 2021, ku Rama vendosi që ta jepte portin e Vlorës me koncesion dhe sipërfaqen e truallit prej 57 mijë metrash katrorë me qira simbolike prej 1 Euro për ndërtimin e një marine turistike dhe një kompleksi luksoz rezidencial të quajtur “Vlora Marina”.
Projekti “Vlora Marina” është një sipërmarrje e përbashkët e biznesmenëve Geront Çela dhe Samir Mane përmes kompanisë së tyre “Marina Residences Vlorë”. Marina Residences Vlorë” synon që të ndërtojë rreth 663 apartamente dhe dy hotele mbi një truallin shtetëror prej 57 mijë metrash katrorë dhe planifikon të arkëtojë dhjetëra milionë euro nga shitja e apartamenteve në dhjetë vitet e ardhshme. Ekspertët e ekonomisë e kritikojnë këtë model sipërmarrjeje, pasi nuk shohin përfitime për buxhetin e shtetit. Kjo dosje është nën hetim nga SPAK, për mënyrën se si Mane e përfitoi këtë investim. Ky është dhe një nga rastet që tregon qartë alarmin që ka ngritur BE për jotransparencë nga këto vendime.
