Shqipëria tym e flakë më 7 tetor, Berisha thërret demokratët në protestë për hallin e tij dhe të familjes, ultimatum…

Data

Partia Demokratike ka vendosur të zhvendosë datën e protestës së saj nga 6 tetori, që ishte parashikuar në datën 7 tetor, duke i dhënë një tjetër dimension situatës politike në vend. Sali Berisha, lideri i kësaj partie, u ka bërë thirrje demokratëve t’i bashkohen tubimit të tij dhe ndërkohë ka lëshuar ultimatum për bllokimin e rrugëve më 7 tetor dhe çuarjen e vendit drejt mosbindjes civile. Kjo protestë pritet të jetë një manifestim i fortë i pakënaqësisë ndaj qeverisë, në një kohë kur tensionet politike janë në kulm dhe referuar retorikës së ashpër të ish-kryeministrit Berisha të shpallur “non-grata” nga Britania dhe Uashingtoni, si dhe marrja nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për aferën “Partizani”, tubimi shihet si një lëvizje e kryetarit të Partisë Demokratike për të mbrojtur interesat e tij dhe të familjes së tij.

Duke folur dje online në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, Berisha ka bërë thirrje për mobilizim masiv, duke e konsideruar datën 7 tetor një moment kyç për demokratët dhe paralajmëruar se atë ditë Shqipëria do të ndizet në tym e flakë. Në këtë kontekst, ai i ka bërë thirrje qytetarëve të angazhohen në mosbindje civile, duke e quajtur Tiranën “vrimë miu” për qeveritarët, të cilët sipas tij, po i bëjnë dëm vendit. Protesta e 7 tetorit pritet të sjellë një valë të re protestash dhe manifestimesh në të gjithë Shqipërinë. Por si do të reagojnë qytetarët ndaj këtij thirrjeje dhe cilat do të jenë pasojat për stabilitetin e vendit? Koha do ta tregojë, mirëpo gjithçka duket se po shkon drejt një përplasjeje, sidomos pas burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji.

Protesta

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka njoftuar dje se protesta e paralajmëruar do të zhvendoset në datën 7 tetor, ditën e hënë. Edi Paloka njoftoi para demokratëve se thirrja për qytetarët është që të protestojnë duke nisur nga Kryeministria dhe më pas në të gjitha rrugët e kryeqytetit. Më herët protesta e opozitës ishte njoftuar për datën 6 tetor, ditën e dielë, ndërsa vetëm pak më herët u raportua një ndryshim i planeve. Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh në fjalën hapëse të Këshillit Kombëtar se demokratët do duhet të hidhen në sulm duke përdorur të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Ai kërkoi më 7 tetor bllokim rrugësh në gjithë Shqipërinë. “7 tetor në ora 6, Tirana e tëra derdhet në rrugët dhe sheshet e saj. Më 7 tetor, Tirana është e qytetarëve, vrima e miut të qeveritarëve, vrima e miut të mafies, vrima e miut e hajdutëve. Ndaj dhe le të shndërrojmë ne 7 tetorin në ditën e triumfit, të guximit, të trimërisë, të revoltës, të mosbindjes civile, të fitores së shqiptarëve. Të dashur miq, çdo shqiptar, çdo shqiptare, ka vetëm një kërkesë ndaj nesh, ka vetëm një dëshirë ndaj nesh, ka vetëm një shpresë ndaj nesh, të na shohë në sulm, të gatshëm për sakrifica, të vendosur për fitore. Ndaj dhe me 7 tetor, me të gjitha mjetet e mosbindjes civile, në Tiranë, në rrugë, në sheshet e saj. Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore”, deklaroi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related