Një aksident tragjik ajror ka ndodhur në Meksika, ku një aeroplan i vogël u rrëzua në një zonë rurale në shtetin Puebla, duke shkaktuar vdekjen e katër personave.
Sipas autoriteteve lokale, ngjarja ndodhi rreth mesditës, pak minuta pas ngritjes së avionit nga aeroporti ndërkombëtar i Pueblas. Aeroplani me një motor, i cili kishte kapacitet për katër persona, ishte nisur drejt qytetit Poza Rica në shtetin Veracruz.
Dëshmitarët në zonë raportuan se piloti tentoi të manovronte për të shmangur rrëzimin, por mjeti ajror humbi kontrollin dhe “u zhyt” drejt tokës.
Fillimisht, tre persona u gjetën të pajetë në vendngjarje, ndërsa një tjetër u transportua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë. Megjithatë, disa orë më vonë autoritetet konfirmuan se edhe personi i katërt nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim, ndërsa ekipet e emergjencës dhe ekspertët po punojnë për të zbardhur rrethanat që çuan në këtë tragjedi ajrore.
