Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani dhunohet në një pikë karburanti në Vlorë, reagojnë Meta, Policia, Berisha dhe Dhomat Vendore të Avokatisë

Data

Avokati Kujtim Cakrani, mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, është dhunuar mesditën e djeshme në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një pike karburanti në rrugën Transballkanike, ku Cakrani është sulmuar nga dy persona të rinj dhe për pasojë është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet i shtruar në repartin e kirurgjisë.

Sipas deklarimit të vetë avokatit nga spitali, ai është provokuar fillimisht nga dy persona të panjohur dhe më pas është goditur nga pas me një mjet prerës, pa pasur asnjë konflikt të mëparshëm me ta. Cakrani ka theksuar se nuk ka pasur konflikte të mbartura dhe se sulmi ka ndodhur në mënyrë të menjëhershme.

“Dy të rinj më provokuan dhe më pas më goditën nga pas me mjet prerës. Nuk i njihja dhe nuk e di pse ndodhi. Kam disa dëmtime në kokë dhe gjendja ime nuk është e mirë,” ka deklaruar ai.

Reagimi i Policisë

Policia e Vlorës ka konfirmuar zyrtarisht ngjarjen, duke bërë të ditur se rreth orës 13:30, gjatë furnizimit me karburant, shtetasi K.C., 55 vjeç, është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar. Sipas njoftimit, konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të pozicionimit të automjetit në pikën e karburantit dhe ka përfunduar me dhunë fizike ndaj avokatit.

Policia njofton se është identifikuar automjeti me të cilin autorët janë larguar nga vendngjarja dhe se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e autorëve.

Reagimi i Ilir Metës

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga burgu duke dënuar ashpër sulmin ndaj avokatit të tij. Meta ka kërkuar identifikimin dhe ndëshkimin e menjëhershëm të autorëve, duke theksuar se sulmet ndaj avokatëve janë bërë të përsëritura në një regjim që, sipas tij, i konsideron ata problematikë.

Ai ka shprehur solidaritet të plotë me Cakranin, familjen e tij dhe gjithë komunitetin e avokatëve.

Reagimi i Sali Berishës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar dhunimin e avokatit Kujtim Cakrani si një akt kriminal shtetëror të shëmtuar. Berisha ka deklaruar se sulmi është i parapërgatitur dhe i frymëzuar nga ajo që ai e cilëson si organizatë kriminale e qeverisë.

Ai i ka uruar shërim të shpejtë avokatit dhe ka theksuar se drejtësia, edhe pse vonon, nuk harron.

Reagimi i Dhomave Vendore të Avokatisë

Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë dhe ajo e Fierit kanë reaguar duke dënuar ashpër aktin e dhunës ndaj avokatit Cakrani. Në deklaratat e tyre, ato e kanë cilësuar ngjarjen si të patolerueshme dhe kanë shprehur shqetësim për rastet e shpeshta të dhunës ndaj profesionistëve dhe qytetarëve.

Dhomat kanë kërkuar hetim të shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë kurrë mjet për zgjidhjen e konflikteve dhe se siguria e avokatëve dhe qytetarëve duhet të garantohet nga institucionet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related